Infektimi me koronavirus dhe shtatzënia

0 1

Informacione për gratë shtatzëna dhe familjet e tyre

Çfarë efekti ka koronavirusi tek gratë shtatzëna?

Gratë shtatzëna nuk duket të jenë më të ndjeshme ndaj pasojave të koronavirusit sesa popullsia e përgjithshme. Duke qenë se ky është një virus i ri, se si mund të ndikojë tek ju nuk është ende e qartë. Pritet që shumica e grave shtatzëna do të përjetojnë vetëm ftohje dhe simptoma të ngjashme me gripin.

Simptoma më të rënda si pneumonia duket se janë më të shpeshta te njerëzit e moshuar, ata me sistem imuniteti të dobësuar ose me sëmundje afatgjata. Për momentin nuk ka raportime për vdekje të grave shtatzëna nga koronavirusi.

Nëse jeni shtatzënë jeni më të rrezikuara nga infeksioni sesa një grua që nuk është shtatzanë. Nëse keni një problem themelor të zemrës ose mushkërive, të tilla si astma, mund të jeni me imunitet më të dobët nëse keni koronavirus.

Çfarë efekti do të ketë koronavirusi tek fëmija im nëse diagnostikohem me infeksionin?

Duke marrë parasysh që ky është një virus shumë i ri, ne sapo kemi filluar të mësojmë rreth tij. Nuk ka asnjë provë që tregon një rrezik të rritur të abortit. Nuk ka asnjë provë që virusi mund të kalojë tek fëmija juaj në zhvillim ndërsa jeni shtatzënë (ky quhet transmetim vertikal). Prandaj konsiderohet e pamundur që nëse keni virusin, ai do të shkaktojë anomali tek fëmija juaj.

Disa foshnje të lindura tek gratë me simptoma të koronavirusit në Kinë kanë lindur para kohe. Është e paqartë nëse kjo u shkaktua nga koronavirusi, apo mjekët morën vendimin që fëmija të lindte herët sepse gruaja nuk ishte mirë. Ky është nga ato informacione që kërkon përditësim, me zhvillimin e kërkimeve të reja.

Çfarë mund të bëj për të zvogëluar rrezikun e marrjes së koronavirusit?

Gjëja më e rëndësishme për të bërë është të lani duart rregullisht dhe në mënyrë efektive, sapo të vini nga vendet publike në shtëpinë tuaj ose në vendin e punës.

Çfarë duhet të bëj nëse mendoj se mund të kem koronavirus?

Nëse jeni shtatzënë dhe:

  • Ju mendoni se mund të keni koronavirus;
  • Në 14 ditët e fundit keni qenë në një vend ose zonë me një rrezik të lartë të koronavirusit;
  • Keni qenë në kontakt të ngushtë me dikë me koronavirus;

Ju duhet të telefononi Qendrën Kombëtare të Urgjencës në numrin 127 dhe t’i njoftoni se jeni shtatzanë.

Gjithashtu duhet të komunikoni me mjekun obstetër që ju ndjek, për ta vënë në dijeni të këshilalve që keni marrë nga Urgjenca.

Si do të testohem për koronavirusin?

Procesi për diagnostikimin e infeksionit koronavirus po ndryshon me shpejtësi. Në kohën e tanishme, nëse keni nevojë për një test për koronavirus, do t’ju këshillohet të izoloheni. Ju mund të keni nevojë të shkoni në një spital ose të testoheni në shtëpi.

Do të testoheni në të njëjtën mënyrë si kushdo që po testohet, pavarësisht faktit që jeni shtatzënë. Aktualisht, testi përfshin marrjen e kulturave nga goja dhe hunda. Ju mund gjithashtu t’ju kërkohet të kolliteni duke pështyrë, për të marrë një përzierje të pështymës dhe mukozës.

Çfarë duhet të bëj nëse rezultoj pozitive ndaj koronavirusit?

Nëse testimi për koronavirusin del pozitiv, duhet të njoftoni stafin që ndjek shtatzaninë tuaj për t’i bërë me dije. Nëse nuk keni simptoma, ose simptoma të lehta, do t’ju këshillohet të rikuperoheni në shtëpi. Nëse keni simptoma më të rënda, mund të mjekoheni në një ambient spitalor.

Pyetje: Pse do të nevojitej të izolohem?

Ju mund të këshilloheni të izoloheni sepse:

  • Ju keni rënë në kontakt me dikë që ka koronavirus.
  • Ju keni vizituar një zonë ose vend të caktuar me një rrezik të lartë të koronavirusit.
  • Ju keni simptoma që mund të jenë të koronavirusit dhe po prisni të testoheni, ose jeni në pritje të rezultateve;
  • Ju keni rezultuar pozitive ndaj testit për koronavirusin dhe ju është këshilluar të rikuperoheni në shtëpi.

Çfarë duhet të bëj nëse më kërkohet që të izolohem?

Gratë shtatzëna që janë këshilluar të izolohen duhet të qëndrojnë brenda dhe të shmangin kontaktin me të tjerët për 14 ditë. Udhëzimi për vetë-izolimin aktualisht u rekomandon njerëzve që:

  • Të mos shkojnë në shkollë, punë, ose zona publike.
  • Të mos përdorin transportin publik.
  • Të qëndrojnë në shtëpi dhe mos lejojnë vizitorët.
  • Të ajrosen dhomat duke hapur dritaret.
  • Të ndahen nga anëtarët e tjerë të familjes së tyre sa më shumë që të jetë e mundur, duke përdorur peshqirët e tyre, enët dhe veglat dhe duke ngrënë në kohë të ndryshme.

A mund të ndjek akoma vizitat para lindjes nëse jam në izolim?

Ju duhet të kontaktoni maminë ose klinikën para lindjes për t’i informuar ata që aktualisht jeni në izolim për koronavirusin e mundshëm / konfirmuar dhe kërkoni këshilla për të marrë pjesë në takime rutinore para lindjes.

Ka të ngjarë që kontrollet rutinë të vonohen derisa të përfundojë izolimi. Nëse mamia ose doktori juaj këshillon që takimi juaj nuk mund të presë, do të merren masat e nevojshme. Për shembull, mund t’ju kërkohet të merrni pjesë në një kohë tjetër, ose në një klinikë tjetër, për të mbrojtur pacientët e tjerë.

Si do të menaxhohet kujdesi im pasi të shërohem nga koronavirusi?

Si një metodë paraprake, një skanim me ultratinguj do të organizohet 14 ditë pas shërimit tuaj, për të parë nëse fëmija juaj është mirë.

Nëse jeni rikuperuar nga koronavirusi ose keni rezultuar negative për virusin përpara se të filloni lindjen, ku dhe si do të lindni nuk do të ndikohen nga sëmundja juaj e mëparshme.

Çfarë duhet të bëj nëse nuk ndihem mirë ose shqetësohem për fëmijën tim gjatë izolimit?

Nëse keni shqetësime për mirëqenien tuaj ose të foshnjës së palindur gjatë periudhës së vetë izolimit, kontaktoni maminë tuaj ose jashtë orarit të punës, ekipin tuaj të maternitetit. Ata do t’ju japin këshilla të mëtejshme, duke përfshirë nevojën ose jo për të shkuar në spital.

Nëse këshillohet frekuentimi në njësinë e maternitetit ose spital, grave shtatzëna u kërkohet të udhëtojnë me transport privat, ose të organizojnë transport spitalor, dhe të paralajmërojnë përpara se të hyjnë në spital.

A do të ndikojë koronavirusi në mënyrën sesi do të lind?

Aktualisht nuk ka prova që sugjerojnë se nuk mund të lindni në mënyrë natyrale ose se do të ishit më të sigurta për lindje cezariane nëse dyshoni ose keni konfirmuar se keni koronavirus, kështu që plani juaj i lindjes duhet të ndiqet sa më afër të jetë e mundur bazuar në dëshirat tuaja.

Sidoqoftë, nëse gjendja juaj e frymëmarrjes sugjeron që lindja urgjente do të ishte e nevojshme, mund të rekomandohet lindja cezariane.

Nuk ka asnjë provë që gratë me koronavirus ose ato që dyshohen nuk mund të bëjnë një epidural. Sidoqoftë, përdorimi i Entonox (gazi dhe ajri) mund të rrisë aerosolizimin dhe përhapjen e virusit, kështu që ekipi juaj i maternitetit do të diskutojë të gjitha opsionet me ju gjatë lindjes së hershme për t’u siguruar që jeni të vetëdijshme për opsionet e lehtësimit të dhimbjeve që janë në dispozicion për ju.

Çfarë ndodh nëse më fillojnë dhimbjet e lindjes gjatë periudhës sime të izolimit?

Nëse keni simptoma të buta, do t’ju kërkohet të qëndroni në shtëpi gjatë fazës së hershme të lindjes, sipas praktikës standarde.

Ekipi juaj i maternitetit është këshilluar për mënyrat për të siguruar që ju dhe foshnja juaj të merrni kujdes të sigurt, cilësor, duke respektuar planin tuaj të lindjes sa më me përpikmëri që të jetë e mundur.

Kur ju dhe ekipi juaj i maternitetit vendosni se duhet të merrni pjesë në njësinë e maternitetit, rekomandimet e përgjithshme për frekuentimin në spital do të zbatohen:

  • Këshillohet të ndiqni spitalin përmes transportit privat, kur është e mundur.
  • Do të takoheni në hyrjen e njësisë së maternitetit dhe do t’ju sigurohet një maskë kirurgjikale për fytyrën, e cila do të duhet të qëndrojë përpara derisa të izoloheni në një dhomë të përshtatshme
  • Vizitorët duhet të mbahen në minimum.

A mund ta kaloj koronavirusin tek fëmija im?

Ky është një virus i ri dhe nuk dihet shumë për të, megjithatë nuk ka raporte për gratë e diagnostikuara me koronavirus gjatë tremujorit të tretë të shtatzanisë që kanë kaluar virusin tek foshnjat e tyre ndërsa e kishin në bark.

A do të testohet foshnja ime për koronavirus?

Po, nëse keni dyshuar ose jeni konfirmuar me koronavirus në kohën kur fëmija juaj lind, fëmija juaj do të testohet për koronavirus.

A do të jem në gjendje të qëndroj me fëmijën tim / të kem kontakt lëkurë në lëkurë nëse kam dyshuar ose konfirmuar për koronavirus?

Po, nëse kjo është zgjedhja juaj. Me kusht që foshnja juaj të jetë mirë dhe nuk kërkon kujdes në inkubator.

Ekzistojnë disa raporte nga Kina që sugjerojnë që gratë me koronavirus të konfirmuar janë këshilluar të ndahen nga foshnja e tyre për 14 ditë. Sidoqoftë, kjo mund të ketë efekte të mundshme negative në të ushqyer dhe lidhjen mes nënës e foshnjës.

Një diskutim rreth rreziqeve dhe përfitimeve duhet të zhvillohet midis jush dhe familjes suaj dhe mjekëve që kujdesen për fëmijën tuaj (neonatolog) për të marrë këshilla sa më individuale lidhur me kujdesin për fëmijën tuaj.

Ky udhëzim mund të ndryshojë ndërsa njohuritë për sëmundjen evoluojnë.

A do të jem në gjendje ta ushqej me gji fëmijën tim?

Po. Për momentin nuk ka prova se virusi mund të bartet në qumështin e gjirit, kështu që duket se përfitimet e njohura të ushqyerjes me gji tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm të transmetimit të koronavirusit përmes qumështit të gjirit.

Rreziku kryesor i ushqyerjes me gji është kontakti i ngushtë midis jush dhe foshnjës suaj, pasi ju mund të ndani pikat infektive të ajrit, duke çuar në infeksion të foshnjës pas lindjes.

Nëse vendosni të ushqeni me gji fëmijën tuaj, rekomandohen masat paraprake të mëposhtme:

  • Lani duart para se të prekni fëmijën tuaj, pompën e gjirit ose biberonin.
  • Vendosni një maskë për fytyrën.
  • Ndiqni rekomandimet për pastrimin e pompës pas çdo përdorimi.

Lexo edhe: Si t’u flasim fëmijëve për koronavirusin, këshilla nga Save the Children dhe psikologia Lorela Garuli


  1. Infektimi me koronavirus dhe shtatzënia – Pergrate

    […] Infektimi me koronavirus dhe shtatzënia […]

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu



Materiale te ngjashme

Kujdes nëse merrni këtë mesazh,...

Pavarësisht situatës së vështirë që po jetojmë, ka ende njerëz që duan të përfitojnë nga e të krijojnë hilaritet me mesazhe të pavërteta. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka rënë pre...

A merret koronavirusi nga ushqimi...

Duke qenë se këtë periudhë po përballemi me një të keqe të madhe të panjohur, të shumta janë edhe pyetjet e dilemat në lidhje me të. Ndër shqetësimet më të...

SHBA ofron ndihmë për vendet...

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka njoftuar me një postim në faqen zyrtare të Facebook-ut, për vendimin e ri të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. USAID ka parashikuar një...

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero: Mund...

Deri më tani, sipas ministrisë së Shëndetësisë janë zyrtarisht 42 persona të prekur nga Covid 19, por sipas mjekut infeksionist Pëllumb Pipero, mund të jetë mbi 400 të infektuar. “Nëse...

Ne kemi reklame ju lutem caktivizoni adblock ne menyre qe te navigoni lehtesisht.
Faleminderit!

A keni një llogari? Identifikohu


Regjistrohu


[nextend_social_login login="1" link="1" unlink="1" ] X

Ndrysho fjalkalimin


X